Abu Dhabi, në konferencën “World Policy Conference”

*Fjala e Kryeministrit Edi Rama në Abu Dhabi në ceremoninë zyrtare të hapjes së konferencës “World Policy Conference”:

Të nderuar miq!

Siç mund ta përfytyroni, jam mes kryeministrave më të gjatë në botë, kështu që tundimi për të folur për botën është shumë i madh, por vendi im është mes vendeve më të vogla në botë. Kështu që nevoja për të folur për të është po kështu shumë e madhe.

Do të përpiqem t’i rezistoj tundimit dhe të përmbush këtë nevojë pa qenë i mërzitshëm e shpresoj në durimin tuaj për të patur një farë suksesi.

Unë besoj shumë fort se globalizmi është këtu e do të qëndrojë për aq kohë sa jetojmë në të njëjtin planet e ngrohemi nga i njëjti diell, për aq gjatë sa thellimi i ndërlidhjes sonë e varësia nga ajo është bërë e pandalshme.

Interesi ynë i mirëfilltë në bashkëpunimin përtej kufijve po bëhet më i madh, pavarësisht hezitimeve dhe refuzimeve dhe aksioni shumëpalësh duhet të jetë e të mbetet instrumenti i bashkëpunimit.

Problemet me të cilat përballemi sot bëhen për herë e çdo ditë më të ndërlidhura. Le të marrim ndryshimin e klimës e meqë ra fjala, të gjithë e dimë që ngrohja globale nuk është thjesht çështje e klimës, është çështje e zhvillimit, një çështje sigurie, çështje që ndikon në forcimin apo dobësimin e paqes botërore në tërësi dhe një çështje paqeje në shumë rajone. Një çështje me një ndikim mjaft afatgjatë, kështu që sa më efektivisht do të merremi me të, aq më mirë do të parandalojmë katastrofat natyrore, përmbytjet, rritjen e nivelit të ujërave, humbjen e tokës e kështu me radhë.

Sot, pandemia COVID-19, një çështje globale, ka marrë kaq shumë jetë, krahasuar dhe me humbjet në luftërat botërore. A jemi në gjendje të merremi të vetëm me këtë murtajë?

E kemi parë dhe përgjigja është natyrisht jo. E njëjta logjikë, në pikë vështrimin tim, shkon edhe për çështjen e sigurisë, për luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar, luftën kibernetike, për sigurinë e furnizimit me ujë për të gjithë, për një zhvillim afatgjatë e të qëndrueshëm me synimin për të mos lënë askënd pas e me radhë.

Në këtë botë sfidash globale që janë po kështu dhe kohë të sfidave të besimit, kërkohet një qasje globale. Angazhimi i të gjithëve ne në strukturat që kemi ngritur është i nevojshëm, por sigurisht, përshtatja e këtyre strukturave për të përmbushur sfidat e sotme është një domosdoshmëri dhe jo në një mënyrë hegjemonike, por harmonike do të thoja.

Shqipëria beson se përtëritja e një angazhimi të thellë për të ndikuar veprimin shumëpalësh është shumë herë më i nevojshëm për të realizuar për paqen, demokracinë dhe të drejtat e njeriut. Në këtë kuadër, mbështesim fort agjendën ambicioze të reformës së Kombeve të Bashkuara dhe atë të Këshillit të Sigurimit. Në një angazhim të palëkundur ndaj parimeve të veprimit shumëpalësh, Shqipëria vitin e kaluar kryesoi OSBE-në duke dhënë kontribute afatgjata e të qëndrueshme për paqen, të drejtat e njeriut dhe barazinë.

Këshilli ministerial i Tiranës ra dakord për një sërë angazhimesh, për të luftuar krimin e organizuar ndërkombëtar, korrupsionin dhe parandalimin e torturës në rajonin e OSBE-së. Ne realizuam një ecuri mjaft të nevojshme në të gjitha dimensionet e sigurisë së OSBE-së dhe si besues të veprimit shumëpalësh në nivel global, Shqipëria do të jetë për herë të parë në historinë e saj të anëtarësisë në Kombet e  Bashkuara, një anëtare e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për periudhën 2022-2023. Të vetëdijshëm plotësisht për përgjegjësitë që na janë besuar nga familja e Kombeve të Bashkuara, ne do t’i sjellim Këshillit të Sigurimit këndvështrimin e një vendi të vogël, me një politikë të jashtme konstruktive dhe një angazhim të qëndrueshëm ndaj veprimit shumëpalësh. Me një grup njerëzish të njëjtë në mendim jemi përpjekur për të prezantuar një traktat kundër pandemisë, për t’u përballur siç duhet me pandemi të tilla kaq të kushtueshme.

Gjithashtu jemi të shqetësuar dhe për pasojat e infodemisë në kuadër të COVID-19 që mund të rrisin rrezikun e konflikteve, dhunës, shkeljes së të drejtave të njeriut dhe barbarive masive.

Na duhet një integrim më i madh për agjendën e zhvillimit të qëndrueshëm dhe me çështjet e paqes, sigurisë e të drejtave të njeriut. Shqipëria konsideron që arritja e këtyre objektivave të zhvillimit të qëndrueshëm dhe zbatimi i Agjendës 2030 është një përgjegjësi e përbashkët.

Ne jemi në të njëjtën linjë me politikat e BE-së dhe dokumentet ndërkombëtare dhe vendimet për të zhvilluar sektorin eneregjitik në mënyrë harmonike dhe miqësore me mjedisin.

Qeveria shqiptare ka nisur të reformojë sektorin e energjisë elektrike që prej vitit 2014 nëpërmjet masave të ndërmarra, për të plotësuar kuadrin ligjor dhe rregullator në përputhje me paketën e tretë të Bashkimit Europian për energjinë dhe në përputhje të plotë të direktivave të BE-së për energjinë. Ne jemi të përqendruar në diversifikimin e prodhimit të energjisë, mbështetur gjithmonë në energjitë e përsëritshme si atë diellore, të erës dhe natyrisht, kjo do të përmirësojë dhe kushtet aktuale ku prodhimi është pothuajse i mbështetur përgjithësisht në burimet ujore. Gjithashtu, qeveria do të miratojë planin e ri në përputhje me agjendën e komunitetit të energjisë për çkarbonizimin e sektorit të ekonomisë. Ky plan do të parashikojë prodhimin e energjisë në kapacitetet e instaluara në periudhën 2021-2030. Shqipëria pret që brenda kësaj dekade të bëhet një eksportuese neto e energjisë. Por duke folur për sfidat e kohëve tona në këtë qytet, nuk shmang dot pa folur për rolin si model i Emirateve të Bashkuara Arabe për bashkëpunimin shumëpalësh për paqen e të drejtat e njeriut. Marrëveshje mes Emirateve dhe Izraelit ishte një vazhdimësi pas kohërave të bllokimit, duke ndërmarrë një hap të jashtëzakonshëm për t’i shtrirë dorën një armiku historik. Emiratet drejtuan përmes shembullit atë çfarë bëhet në të ardhmen, jo duke harruar të shkuarën, por duke parë nga e ardhmja e duke e bërë të ardhmen bazë për t’u marrë me të shkuarën e për të mos e lënë të shkuarën të diktojë më të ardhmen. Ky zhvillim madhor në historikun e bërjes së paqes është burim i mirëfilltë frymëzimi për botën, si dhe për ne në rajonin e Ballkanit ku për një kohë kaq të gjatë, luftëra e konflikte të përgjakshme kanë parandaluar njerëz të kombeve të ndryshme që ta shohin veten si qenie njerëzore e të merren me njëri-tjetrin njerëzishëm.

Nga ana tjetër, ne Shqipëria, kemi përjetuar në vetë të parë solidaritetin e Emirateve pas tërmetit shkatërrues në nëntor të vitit 2019 ku 15 mijë familje humbën shtëpitë e tyre për më pak se një minutë. Sheiku Mohammed bin Zayed, Lartësia e tij ishte ndër të parët mes një numri të madh udhëheqësish ndërkomëbtarë që shprehën solidaritetin e tyre jo vetëm me fjalë, por dhe me vepra e falë tij dhe falë udhëheqjes së tij, një lagje krejt e re po ndërtohet për ato familje që humbën shtëpitë e tyre në këtë tragjedi.

Jam shumë krenar ta përmbyll këtë duke ju thënë se Shqipëria ka qëndruar fort në mbrojtje të afganëve në rrezik në vijim të ngjarjeve që ndodhën në Afganistan dhe në frymën e solidaritetit fola pak më parë se qeveria shqiptare mori përsipër angazhimin për të pritur deri në 4000 afganë. Është një numër shumë më i madh krahasuar me vende më të mëdha e më të pasura, kontributi i të cilave nuk u përputh me nivelin  e sfidës. Gjatë këtyre ditëve, shumë njerëz më kanë pyetur “pse”? Dhe përgjigja ime është shumë e thjeshtë: së pari, duke bërë një gjë të tillë, ne nderojmë historinë tonë dhe traditën tonë. Një prej faqeve më të mrekullueshme të historisë sonë është shpëtimi i hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore, kur Shqipëria qe i vetmi vend në Europë me më shumë hebrenj pas lufte se sa para saj, pasi askush, asnjë hebre nuk iu dorëzua nazistëve.

Së dyti, ne mund të mos jemi të pasur, por kujtesa jonë nuk mund të jetë e shkurtër. 30 vjet më parë afganët ishim ne kur në largim, në ikje nga ferri ynë, duke i ikur talebanëve tanë që nuk ishin fondamentalistë islamikë, por fondamentalistë stalinistë, na u desh aso kohe të kalonim detin e të shfaqeshim si alienë në brigjet e Italisë e të Europës e askush nuk e dinte madje as si dukeshim. E nëse nuk do të gjenim strehë, ndihmë dhe shpresë 30 vjet më parë, nuk do të ishim sot këtu, një vend me statusin e kandidatit për anëtarësim në BE, me aspiratën për t’u bërë një prej anëtarëve të Unionit.

Së treti dhe çka është më e rëndësishme, e bëmë sepse i detyrohemi fëmijëve tanë. Ata nuk duhen rritur në një mjedis ku u thuhet të mbyllin dyert, të jetojnë në frikë, t’u kthejnë kurrizin atyre që janë në nevojë. Ata duhet të mësojnë përmes veprave, jo fjalëve, se në këtë jetë ka një kohë kur kërkon, e ka një kohë kur duhet të japësh. Faleminderit shumë!

*Përkthim simultan

Read the speech on the Albanian Prime Minister’s Office website